Meta pret kryetaren e Preshevës

Presidenti Ilir Meta priti këtë të mërkurë në një takim kortezie kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes bashkive të ndryshme të Shqipërisë me Komunën e Preshevës dhe realizimi i projekteve të përbashkëta që kanë të bëjnë me jetën kulturore, arsimore, sportive, por edhe me zhvillimin ekonomik të Preshevës.

Ndër të tjera, kreu i shtetit theksoi rëndësinë e madhe që ka integrimi i shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës vendore dhe qendrore, në interes të garantimit të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Gjithashtu, Meta priti po sot ministrin e Maqedonisë për Investimet e Huaja, Ramiz Merko, i cili po zhvillon një vizitë pune në Tiranë. Meta vlerësoi qasjen dhe interesin e qeverisë së re maqedonase për të nxitur e rritur bashkëpunimin politik dhe ekonomik mes dy vendeve.

Më pas kreu i shtetit zhvilloi edhe një takim me kreun e Zyrës së Lartë të Auditimit të Republikës Çeke, Miloslav Kala, i cili po zhvillon një vizitë pune në vendin tone, me ftesë të kryetarit të KLSH-së, zotit Bujar Leskaj.

Duke vlerësuar ekspertizën dhe programet e trajnimit të Zyrës së Lartë të Auditimit të Çekisë për KLSH-në, Meta theksoi se ato do të kenë një impakt pozitiv në përmirësimin e punës së institucioneve shtetërore dhe të administrimit të pasurisë publike, konform standardeve më të mira evropiane të transparencës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.