Aleksandar Vuçiç: Duhet të jemi realistë për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç duket se ka ndërmend t’i përmbahet premtimit që ka dhënë në takimin e fundit në Bruksel në lidhje me Kosovën.

Në një editorial të shkruar në gazetën “Blic”, Vuçiç shprehet se Serbia duhet të nisë një dialog të brendshëm për Kosovën, në mënyrë që brezat e ardhshëm të mos e kenë si barrë.

“Ka ardhur koha që si popull të mos sillemi më si struci dhe të fusim kokën në rërë. Duhet të përpiqemi të bëhemi realistë, të mos i lejojmë vetes të humbim ose t’ia dorëzojmë dikujt atë që kemi. Por nuk duhet të presim që në dorë të na kthehet ajo që e kemi humbur kaherë”, shkruan Vuçiç.

Vuçiç rikujton fjalët e Shimon Peres, i cili në lidhje me dialogun me palestinezët thoshte: “merreni me mend çfarë do të ndodhë po të mos e bëjmë këtë”.

Vuçiç nënvizon se edhe atij vetë, kur do t’i duhet të mbajë një qëndrim lidhur me nevojën për dialog të brendshëm për Kosovën dhe një dialog me Prishtinën do të thotë: “Merreni me mend ç’mund të ndodhë nëse të gjithë heshtim dhe ndërpresim bisedimet”.

“Pas kaq shumë vitesh që merrem me politikë, e di këtë përgjigje shumë mirë. Qysh më 1878, që nga themelimi i së ashtuquajturës Lidhja e Prizrenit, ne serbët nuk kemi dashur të jemi sa duhet të përgjegjshëm dhe të kuptojmë fuqinë e dëshirës së shqiptarëve”, shkruan Vuçiç.

Leave a Reply

Your email address will not be published.