Moto GP, Dovizioso magjik edhe në Montmelo

Nga Mugello në Montmelo, brenda 7 ditëve Andrea Dovizioso dhe Ducati sigurojnë suksesin e dytë rresht në botërorin e Moto GP duke hedhur kandidaturën për titullin kampion. 31-vjeçari italian dhe suadra e kuqe duken tërësisht të transformuar gjatë javës së fundit pasi arritën të triumfonin edhe në pistën spanjolle, duke lënë pas peshat e rënda, Marc Marquez dhe Dani Pedrosa me Hondën zyrtare që në këtë pistë dukej favorite. Gara nisi menjëherë me gazin në maksimum për Jorge Lorenzon që u ngjit në krye përpara spanjollëve të Hondas por me kalimin e xhirove, Pedrosa dhe Marquez morën kontrollin duke e dueluar me njëri tjetrin. Miku i paftuar në mesin e tyre ishte pikërisht italiani i Ducatit që fitoi terren dhe u fut mes sanduiçit spanjoll. Ducati në formë optimale përfitoi nga shpejtësia në vijë të drejtë dhe parakalimi i Doviziosos në dëm të Marquez erdhi në xhiron e 17 dhe që prej atij momenti, 31-vjecari shtoi ritmin duke krijuar një distancë sigurie me dy ndjekësit e tyre që u duken të dorëzuar dhe e mbyllën garën në podium. Vetëm vendi i tetë për Valentino Rossin që limitoi dëmet pasi u nis nga vendi i 13, ndërsa kryesuesi i kampionatit, Maverick Vinales mbylli dhjetëshen e parë duke ruajtur edhe kreun e klasifikimit me 7 pikë më shumë se Dovizioso. Garë pozitive për Jorge LOrenzon që arriti të renditej i katërti duke treguar shenja rritjeje me motorin e ri Ducati, ndërsa Zarco, Folger e Bautista u renditën respektivisht në vendin e 5,6 dhe 7.

Leave a Reply

Your email address will not be published.