Thaçi vendos, Kuvendi i Kosovës mblidhet më 3 gusht

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi vendosi qe mbledhja e pare e Parlamentit të Kosovës të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, të mbahet më 3 gusht.

Vendimi pasoi një mbledhje me subjektet politike që kanë fituar vende në Parlamentin e Kosovës, së cilës i ishte përgjigjur vetëm koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

Takimi u refuzua nga ana tjetër prej Lëvizjes Vetëvendosje e koalicionit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, por edhe Listës Serbe, të bindura se një lëvizje e tillë është e panevojshme duke qenë se është në përgjegjësinë e presidentit që të thërrasë mbledhjen e parë të Parlamentit.

Zvarritjen e mbledhjes, ato e kishin cilësuar si favorizim të koalicionit që doli i pari në zgjedhje, por pa numrin e mjaftueshëm të votave për të themeluar i vetëm qeverinë. Në një intervistë dhënë zërit të Amerikës fundjavën e kaluar, Thaçi pat thënë se e kërkonte këtë takim në përpjekje për të nxitur partitë politike që të gjejnë formulën që Kosovës i jep një qeveri të qëndrueshme, funksionale dhe efektive dhe që merr vendime që e çojnë vendin përpara dhe nuk e izolojnë atë.

Që prej certifikimit të rezultateve, partitë politike janë përqendruar në diskutimet për koalicionet paszgjedhore. Vetëvendosje dhe LDK-ja e kanë refuzuar ftesën e Haradinajt për bisedime mbi krijimin e qeverisë e po presin që koalicioni i tij të dështojë për të provuar krijimin e qeverisë në herën e dytë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.