1985/Nxënësi që u dënua nga Spartak Braho dhe vuajti dënimin si minator në Qafë Bari

Fleta e lirimit nga Reparti nr.311 Qafë Bari, Pukë. Vini re shënimin “nxënës”. Në foto Gjergj Hani i arrestuar në moshën 16-vjeçare

Nga Kastriot Dervishi

Gjergj Tomor Hani është i datëlindjes 13.5.1969. Më 27.5.1985, ora 23.30, i vetëm tentoi të arratisej nëpërmjet liqenit në zonën e Linit, Pogradec. I pikasur nga ndriçimi i postës kufitare, kur ishte vetëm pak metra nga vija kufitare qëllohet me kallashnikov.

Shpëton rastësisht, por dorëzohet për të mos u vrarë. U soll në Durrës. Gjykimi u bë sipas një stili komunist jo në sallën e gjykatës . Por para kolektivit të shkollës “Naim Frashëri” . Me nxënës dhe mësues, në mënyrë që ata ta shihnin mirë “armikun e klasës”. Ishte zgjedhur gjyqtar Spartak Braho . Pikërisht ai që në konflikt të plotë interesi, bën pyetje sot për Institutin e Studimeve të Krimeve të Komunizmit.

Denimi:

Sipas Brahos, Gjergj Hani “me veprimin e tij armiqësor, i kundërvihet tërë qëndrimit të rinisë sonë të pastër revolucionare . E cila në këto momente është mobilizuar më tepër se kurrë ta kthejë dhimbjen në forcë . Punë e vigjilencë”. Me vendimin nr.77, datë 1.7.1985, Gjykata e Rrethit Durrës, e deklaroi fajtor .

E dënoi me 5 vjet heqje të lirisë në bazë të neneve 47/gj (arratisja), 11 (përgatitja ose tentativa), 21 (vitet e dënimit), 30/dh (rrethanë lehtësuese). Asnjë vit nuk i uli gjyqtari.

Sipas nenit 21 të Kodit Penal të vitit 1977, “të miturit dënimin me heqje të lirisë e vuajnë në vende të veçanta”. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur. Nuk konsiderohet i mitur (kodi e kish qartë përcaktimit për moshat deri 18 vjet dhe pas kësaj moshe) . Ai dërgohet në repartin nr.311 Qafë Bari, në shkelje të plotë me legjislacionin e asaj kohe.

Dënimin nuk mundi ta mbarojë sepse u lirua me dekretin me rastin e 40 vjetorit të shpalljes së republikës komuniste. Gjergj Hani u lirua më 13.1.1986. Në fletën e tij të lirimit shënohej nga komanda e Repartit nr.311 Qafë Bari se ishte me profesion nxënës. Vitin pasues nga lirimi, Gjergj Hani u arrestua përsëri.

You must be logged in to post a comment Login