Kultura në kohën e vonë antike (shek. IV-VI)


Gjendja ekonomike e politike që u krijua në provincat ilire në shek. IV të e. sonë ndikoi edhe në zhvillimin e kulturës, nxiti gjallërimin dhe vazhdimin e traditave kulturore të lashta. Në shekujt që pasuan, kultura materiale, bashkë me ndikimet bizantine filloi të marrë tipare të qarta anase, mbi bazën e të cilave do të formohet kultura e hershme shqiptare. Ajo nuk pati atë zhvillim të madh si më parë, por në këtë lindën elemente të reja të rëndësishme (si në kulturën materiale, dhe në marrëdhëniet shoqërore), të cilat në mesjetë u zhvilluan në mënyrë më të plotë.

Ndryshe nga periudha pararendëse, në provincat ilire u zhvilluan më tepër ndërtimet me karakter fortifikues ushtarak dhe ato me karakter fetar, të krishterë. Në grupin e parë hynin kryesisht kështjellat e reja dhe kështjellat e lashta të fortifikuara për qëllime ushtarake, ndërtimi dhe rindërtimi i të cilave pati filluar që në shekullin IV dhe arriti kulmin në shek. VI në kohën e sundimit të perandorit Justianian, i cili sikurse shkruan biografi i tij, në dy provincat Epir i Ri dhe Epir i Vjetër, ndërtoi dhe rindërtoi 94 kështjella.

Nga qytetet, në të cilat u bënë ndërtime të mëdha e të rëndësishme që prekën edhe sistemin e brendshëm urbanistik ka qenë Dyrrahu. Këto ndërtime u bënë në kohën e sundimit të perandorit bizantin Anastas, që ishte me origjinë nga ky qytet. Nga këto objekte, me të vërtetë monumentale, janë ruajtur pjesë të sistemit fortifikues: muret rrethuese trefishe të Dyrrahut të ngritura nga perandori Anastas, të cilat llogaritet të kenë qenë 4 400 m të gjata, rreth 12 m të larta dhe 3,50 m të gjera. Me interes është edhe rrjeti i kanalizimeve që dëshmon gjithashtu për një qytet të madh dhe mjeshtra të aftë.

Arkitektura e banesave, siç kanë treguar zbulimet arkeologjike, nuk pati ndryshime të dukshme. Si në planin, ashtu edhe në ndërtimin e saj u ruajtën traditat e lashta.
Monumentet arkitektonike që lidhen me fenë e krishterë, dhe që ishin karakteristike për antikitetin e vonë kanë qenë bazilikat. Këto godina kulti janë me interes për planimetrinë e tyre, plastikën dekorative dhe për dyshemetë me mozaikë. Përsa u përket planimetrive janë gjetur bazilika të thjeshta me tri anijata (në Tepe të Elbasanit) dhe bazilika të tipit trikonke (në Lin të Pogradecit). Shpesh godinat e kultit paleokristian janë ngritur mbi ndërtime më të lashta, duke ndryshuar planimetritë e tyre (bazilika në Tiranë, pagëzimorja e Butrintit).

Rrënojat e një bazilike monumentale janë zbuluar në qytetin e sotëm të Ballshit, që në mesjetë u bë një qendërbanim i rëndësishëm shqiptar (në burimet mesjetare është njohur me emrin Kefalonia-Glavinica). Në këtë bazilikë monumentale është vërtet e pasur dhe me vlerë artistike plastika dekorative arkitektonike. Në plastikë përveç kapiteleve, harqeve, arkitrave, spikasin në mënyrë të veçantë disa pilastra e panele të perdes ndarëse të altarit. Si pilastrat, dhe panelet janë punuar në reliev, kanë një trajtim të mirë artistik dhe një dekoracion të pasur ku nuk mungojnë elementet zbukuruese tradicionale vendase.

Midis monumenteve të skulpturës të kohës së vonë antike dhe që nuk lidhen me kultet fetare janë disa relieve mortore, të punuara nga artistë vendas. Këto relieve nga mënyra e trajtimit artistik, kompozimit, frymëzimit, modelimit e nga paraqitja e figurave dhe veshja e tyre, përbëjnë një tërësi që i veçon nga ato relieve sepulkrale të zakonshme për tre shekujt e parë të erës sonë. Ajo që i bën edhe më interesante këto vepra artistike ilire (sepse u takojnë ilirëve), është se ato janë gjetur jo në qendra qytetare, por në lokalitete të brendshme, në fshatra dhe se figurat që mbajnë paraqesin zakonisht njerëz të punës, fshatarë e zejtarë. Karakteristike për këtë kohë janë edhe disa portrete tek të cilët nuk vërehet as idealizmi i artit grek, as natyralizmi i skulpturës romake; portretet pasqyrojnë qoftë edhe në mënyrë të thjeshtë karakterin burrëror, por edhe të rreptë të popullsisë ilire.

Karakteristike për periudhën e vonë antike ka qenë lulëzimi i artit të mozaikut. Duke filluar nga shek. IV e. sonë arti i mozaikut përhapet edhe në viset e brendshme të provincave ilire, duke u lidhur në fillim me qendërbanimet rurale, “vilat” fshatare dhe më pas me godinat e kultit, bazilikat paleokristiane. Në këta mozaikë janë të pranishme, krahas elementeve të reja dekorative, edhe ato tradicionale më të lashta. Kështu në dyshemetë me mozaikë të godinave të kultit vërtet mbizotërojnë figurat që përfytyrojnë kafshë, shpendë e peshq tipike për artin masiv paleokristian, por krahas tyre, në kornizat që rrethojnë emblemat vërehen elemente dekorative gjeometrike, figura rombesh, motivi i gërshetës, i rrathëve që priten etj., që lidhen me një traditë të lashtë. Mozaikët e kohës së vonë antike, nga të cilët janë zbuluar mjaft në këto vitet e fundit, tregojnë për një lulëzim të këtij arti, sidomos në shek.V e VI dhe për praninë e atelieve mozaikpunuese vendase.

Në antikitetin e vonë ndodhën ndryshime të dukshme edhe në kulturën materiale. Zhvillimi i bujqësisë u shoqërua me futjen në përdorim dhe përsosjen e një sërë veglash bujqësore. Shfrytëzimi intensiv i vendbanimeve me metale bëri të nevojshëm shtimin e përmirësimin e veglave të minatorëve. Shek. IV, sipas të dhënave arkeologjike, me gjithë krizën e përgjithshme, ka qenë periudhë e një gjallërimi të zejtarive, të qyteteve të mëdha dhe të qendrave të brendshme. Kjo vërehet në prodhimin e stolive, ku vendin e parë e zënë fibulat, të cilat edhe në këtë kohë vazhdojnë të kenë një funksion praktik e estetik. Një përhapje të gjerë kanë pasur fibulat e gjoksit të tipit të quajtur me koka qepe dhe ato me këmbë të përthyer, pararendëse të fibulave të përdorura nga shqiptarët në mesjetën e hershme.

Edhe qeramika masive (tullat e tjegullat), edhe qeramika e përdorimit të përditshëm nuk ndryshon shumë nga ajo e shekujve pararendës. Ndërsa në elementet dekorative përdoret pikturimi me breza ngjyrë kafe e të kuqe, trajtat e enëve thjeshtohen. Gjithnjë e më shpesh enët prej balte të pjekur zbukurohen me motivin e gropëzuar, çatalla dhe vija rrethore ose të valëzuara të gërricura, motive këto të traditës ilire.

Përsa i përket kulturës shpirtërore për antikitetin e vonë kultet e besimit fetar të krishterë, përhapen gjithnjë e më shumë në popullsinë e provincave ilire. Feja e krishtere, e cila në fillim lindi si një fe e shtresave të varfra, të cilat mendonin të gjenin tek ajo rrugën e shpëtimit, u përqafua më vonë edhe nga shtresat e pasura dhe u bë fe zyrtare.

Qëndresa e ilirëve ndaj romanizimit

Gjatë gjithë periudhës së pushtimit, Perandoria Romake, zbatoi në provincat ilire një politikë asimilimi, ose, sikur është cilësuar ndryshe, romanizimi. Për të realizuar këtë politikë dhe për të forcuar pushtimin, shteti romak ka synuar që në krye të tërhiqte dhe të bënte për vete parinë vendëse. Për këtë, që herët, kësaj shtrese iu dha e drejta e qytetarisë romake dhe poste të ndryshme në administratën provinciale. Edhe rekrutimi i të rinjve në ushtrinë romake që Roma ka zbatuar gjerësisht në disa provinca, si në Dalmati, Panoni e Dardani ndikonte në këtë politikë të forcimit të sundimit të saj në Iliri. Të rinjtë e rekrutuar, që në fillim kryenin detyrimin ushtarak në formacionet ndihmëse të ushtrisë romake (në burimet e shkruara latine përmenden kohortat dalmate e dardane dhe kalorët dalmatë). Shteti romak i largonte nga vendlindja, i dërgonte në provincat veriore dhe në ato të Afrikës. Në këtë mënyrë, nga njëra anë, zëvendësoheshin humbjet e ushtrisë gjatë luftërave pushtuese, ndërsa, nga ana tjetër, dobësohej qëndresa e popullsisë ilire.

Në tregjet e provincave ilire shiteshin asokohe prodhimet e punishteve të mëdha italike e jashtitalike. Në fushat e ndryshme të prodhimit, në metalurgji, në zejtari dhe në bujqësi hynë në përdorim një tok veglash të reja pune më të përsosura e më praktike. Bashkë me to u përhapën edhe stoli e objekte zbukurimi të reja. Përhapje të gjerë ka pasur edhe qeramika romake e kuqe me lustër, e quajtur “terra sigillata”, dhe në të njëjtën kohë u bë uniformizimi i shumë prodhimeve të qeramikës. Në përgjithësi në provincat ilire, sidomos në shekujt I-II të e.sonë, kishin hyrë elemente të kulturës materiale e artistike romake, bashkë me to edhe disa shfaqje të kulturës shpirtërore, që kishin marrë karakter kozmopolit dhe ndesheshin edhe në provincat e tjera.

Duke u nisur nga kjo pamje e përgjithshme që kanë pasur provincat ilire në tre shekujt e parë të erës sonë, disa dijetarë kanë shfaqur mendimin se sikurse popujt e tjerë, dakët, galët, iberët, edhe ilirët u “romanizuan” plotësisht. Sipas tyre asimilimi nga ana e Romës u bë “me anë të gjuhës, të antroponomisë, të fesë dhe të disa shfaqjeve shoqërore-politike”. Mirëpo, argumentet që sjellin dijetarët për “romanizimin” në tërësi të ilirëve, nuk arrijnë ta provojnë këtë. Duhet pasur parasysh fakti se procesi i romanizimit, preku gjerësisht shtresat e larta të popullsisë vendëse, të cilat për shkak të pozitës së tyre të privilegjuar ishin më të ekspozuara ndaj ndikimeve romake, por jo masën e popullsisë ilire. Pastaj ky proces nuk u zhvillua njëlloj në të gjitha krahinat e fushat e jetës dhe ndikimet e tij kanë ndryshuar nga njëra krahinë ose provincë në tjetrën. Kështu p.sh. procesi i romanizimit mori përmasa më të gjera në Ilirinë Veriore, ku u zhvillua edhe dalmatishtja, një gjuhë romane, e cila u zhduk përfundimisht në shek. XIX.

Një argument që përdoret për të provuar romanizimin e ilirëve është përhapja e gjuhës latine si gjuha zyrtare e kohës. Ka edhe gjuhëtarë që i mbahen pikëpamjes se përdorimi i gjerë i gjuhës latine në të shkruar e në të folur, bëri që gjuha ilire të zhduket. Dokumentet mbishkrimore të zbuluara në provincat ilire tregojnë se gjuha latine ka qenë gjuha e administratës dhe e kulturës dhe nuk ka pasur në çdo kohë dhe kudo një përhapje të gjerë. Në mënyrë shumë të qartë kjo vërehet në provincat e Ilirisë Jugore, ku numri i mbishkrimeve latine është shumë i vogël dhe i kufizuar, madje edhe në kolonitë romake dhe në periferinë e tyre të afërt.

Në shumë krahina të këtyre provincave, sidomos në brendësi të vendit, nuk ka dëshmi mbishkrimore të përhapjes së gjuhës latine. Gjuha latine nuk mundi asnjëherë t’i zinte vendin gjuhës ilire si mjet shprehës në marrëdhëniet shoqërore e familjare, madje as në qytetet ku ilirët bashkëjetuan me banorët italikë të ardhur. Hieronimi, një ilir nga Dalmatia dhe që ka jetuar në shek. IV të e. sonë, shkruante se ilirët në kohën e tij flisnin gjuhën e tyre, e cila ndryshonte nga gjuha latine. Për më tepër, vetë prania e gjuhës shqipe në trevat e Ilirisë Jugore dëshmon qartë kundër romanizimit të një pjese të madhe të popullsisë së këtyre trevave.

Një fushë tjetër, ku del qartë gjithashtu, qëndresa ilire, është onomastika, ruajtja e emrave tradicionalë vendës, si tek njerëzit, emrat e vendeve, lumenjve, maleve etj. Emra vetjakë ilirë ka me shumicë në mbishkrimet latine të gjetura në provincat e ndryshme ilire. Emra ilirë ka edhe në monumentet mbishkrimore që u takojnë edhe personave zyrtarë e ushtarakëve që kishin marrë qytetarinë romake dhe ishin dërguar për të kryer shërbimin ushtarak larg atdheut. Ilirët ruajtën, bashkë me qendërbanimet, e tyre edhe emrat e lashtë. Si të tilla mund të përmenden Skodra, Lisi, Dyrrahu, Aulona, Skupi, Naisi etj.

Të rralla kanë qenë edhe midis qendërbanimeve të reja, që u zhvilluan si qytete, ato që mbanin emra romakë. U ruajtën, gjithashtu, edhe emrat e shumë lumenjve e maleve, si Drilon (Drin), Mathis (Mat), Skardi (Sharr) e shumë të tjerë, të cilët kanë mbetur si të tillë deri në ditët tona.
Ilirët nuk i kishin humbur vetitë e tyre kulturore e etnike dhe këtë e tregojnë riti i vjetër i varrimit me vendosjen e trupit në varr dhe mënyra e ndërtimit të varreve. Në monumentet skulpturore, kryesisht në gurët e varreve, përveç emrave ilirë, figurat e skalitura mbajnë edhe veshjen popullore ilire.

Studiuesve të këtyre monumenteve u ka rënë në sy se shumica prej tyre, sidomos relievet, janë punuar disi më ndryshe nga ato të njohura si vepra të skulpturës romake. Ato ruajnë disa tradita të artit helenistik, të gërshetuara me një stil vendës, që është i ngjashëm dhe rrjedh nga ai i gdhendjes së drurit.
Një fushë tjetër ku pushtuesit romakë u ndeshën me traditat e lashta vendëse dhe ku hasën qëndresë, ka qenë besimi, feja. Romakët nëpërmjet kolonive e qytetarëve romakë përhapën hyjnitë e panteonit të tyre. Në të njëjtën kohë ata mundën që të unifikonin disa hyjni të vjetra vendëse me ato romake duke u dhënë edhe veshjen e jashtme, emrin latin (interpretatio romana). Në këtë mënyrë hyu i madh i parthinëve u barazua me Jupiterin romak, por në mbishkrimet ai do të cilësohet Jupiter Parthinus, sikurse hyjnesha e Kandavëve, kulti i së cilës ishte shumë i përhapur; ajo barazohej me Dianën e do të quhej Diana Candavensis – (Diana e Kandavëve).

Në Dalmati hyun e vjetër ilir Vidas romakët e identifikuan me Silvanin e tyre, mirëpo në relievet ai vazhdoi të paraqitej me atributet e vjetra. Shumë nga kultet e vjetra ilire, me gjithë interpretimin romak, edhe gjatë tre shekujve të parë të e.sonë, vazhduan të zinin një vend të rëndësishëm në jetën shpirtërore të ilirëve.

Të nisur nga këto fakte e të dhëna të tjera, dijetarë të ndryshëm e gjithnjë më të shumtë e kundërshtojnë tezën e “romanizimit” të ilirëve. Duke sjellë argumente gjuhësore, arkeologjike e jashtarkeologjike këta dijetarë kanë provuar se edhe pas futjes nën sundimin romak, ilirët nuk u shfarosën dhe as u asimiluan, por ruajtën elemente të shumta të kulturës shpirtërore e materiale, u ruajtën si një popullsi kompakte dhe e qëndrueshme, se “kombësia ilire i qëndroi romanizimit më mirë” në Ilirinë Jugore (pak a shumë tokat e banuara sot nga shqiptarët) dhe se gjatë sundimit romak, me përjashtim të disa qyteteve bregdetare, si Dyrrahu, Apolonia etj. në tokat e brendshme populli duhet të ketë folur ilirishten.

You must be logged in to post a comment Login