Politika e jashtme e mbretit Gent


Duke qenë në marrëdhënie të ndera me Romën, Genti u kujdes të vendosë marrëdhënie të mira me fqinjët ballkanikë. Qysh në fillim të sundimit të tij, ai ia arriti të vendoste lidhje miqësore me fqinjën lindore, Mbretërinë Dardane. Këto marrëdhënie mbreti i përforcoi me një martesë dinastike dhe sado e ndërlikuar që u bë më vonë gjendja politike në Ballkan, nga burimet nuk del që ato të jenë prishur.

Por bazën e politikës së jashtme të shtetit ilir në këtë kohë e përbënin marrëdhëniet miqësore me Maqedoninë. Synimet ekspansioniste të Romës kishin diktuar një politikë të tillë qysh në vitet e fundit të sundimit të Pleuratit. Tani në kohën e Gentit, vazhdimi i kësaj politike bëhej edhe më i nevojshëm, sepse, në fund të viteve 80 dhe sidomos gjatë dekadës së re, senati e shtoi presionin politik mbi shtetet e Ballkanit dhe në mënyrë të veçantë mbi Maqedoninë dhe Mbretërinë Ilire. Burimet letrare nuk hedhin dritë mbi marrëdhëniet e tij me sundimtarin e Maqedonisë Perseun, në vitet e para të sundimit të Gentit, por në to vihet re qartë një paralelizëm në qëndrimin armiqësor të Republikës (Romës) ndaj tyre. Nga ana tjetër, materiali numizmatik dëshmon për lidhje të ngushta ekonomike dhe si rrjedhim edhe politike, midis Mbretërisë Ilire dhe Maqedonisë.

Marrëdhëniet e Gentit me Perseun dokumentohen më mirë në prag të luftës së fundit. Dy lajme të Livit që lidhen me fundin e vitit 173 dhe fillimin e vitit pasues hedhin dritë mbi këto marrëdhënie. Njëri ka të bëjë me vrasjen e Artetaurit, një dinasti të vogël që përkrahte politikën romake diku në Iliri, ndoshta në zonën e pushtuar nga romakët dhe që në burime paraqitet si një aksion i kombinuar i Perseut dhe i Gentit. Lajmi tjetër bën fjalë për dy sulme të Gentit kundër tokave të Isës dhe përkon në kohë me aktivitetin që zhvillon Perseu për të përmirësuar pozitat e tij në jug dhe në lindje.

Këto ngjarje që shkaktuan shqetësimin e romakëve dhe të aleatëve të tyre nuk mund të merren thjesht si një produkt i propagandës romake që synonte t’i paraqiste të dy sovranët si provokatorë. Livi, sipas Polibit, pohon se, krahas delegatëve që vijnë nga Lindja me ankesa kundër Perseut, delegatë nga Isa vijnë para senatit për të akuzuar Gentin për atë që “ishte në një mendje me mbretin e Maqedonisë dhe që të dy së bashku po përgatitnin luftën kundër romakëve”. Gjendja ishte e tillë që u impononte të dy sovranëve nevojën e veprimeve të bashkërenditura për të përballuar rrezikun romak që sa vinte bëhej më kërcënues. Megjithatë është fakt se duke u përgatitur për t’i bërë ballë këtij rreziku, të dy sovranët nuk donin një konflikt të hapur me Romën, fuqia e së cilës nuk ishte për të mos u përfillur.

Prandaj Genti, ashtu siç bën edhe Perseu, u shpejtua të dërgonte delegatë në Romë “për të larë nga fajet që i ngarkonin isasit”. Senati nuk pranoi të bisedonte me të dërguarin e mbretit dhe i bëri të ditur pakënaqësinë e tij duke e shoqëruar me kërcënime. Duke dashur, nga ana tjetër, që ta izolonte plotësisht Perseun, senati provoi ta bindë Gentin që të shkëputej nga miqësia me mbretin maqedon dhe të bashkonte armët e tij me ato të romakëve. Genti qëndroi në pozitat e tij dhe delegati romak u kthye në atdhe i dyshuar se ishte korruptuar me të hollat e mbretit ilir. Me këtë ndërpriten përpjekjet romake për të tërhequr Gentin nga ana e tyre.

Kështu në pragun e luftës kundër Maqedonisë, kur Roma zhvillonte një veprimtari të etshme diplomatike, të shoqëruar me presion të madh politik, për të izoluar Perseun, sundimtari ilir nuk mori anën e Republikës. Livi e paraqet Gentin të lëkundur, por faktet tregojnë se as këtë radhë, as më pas, mbreti ilir nuk tregon shenja lëkundjeje në qëndrimin e tij ndaj Romës. Ishte vetëm përgatitja e pamjaftueshme që do ta pengonte për të dalë në fushën e betejës kundër saj.

Lufta e tretë romako-maqedone, veprimet luftarake të vitit 171

Krahas përgatitjeve diplomatike, Roma po merrte edhe masat ushtarake për të asgjësuar Maqedoninë dhe Mbretërinë Ilire që ishin dy forcat kryesore, të cilat pengonin planet e saj ekspansioniste në Ballkan.
Në nëntorin e vitit 172 senati urdhëroi dërgimin e forcave të para në brigjet e përtejme të Adriatikut, të përbëra nga 5 000 këmbësorë dhe 300 kalorës. Ky kontingjent i vogël që dërgohej si pararojë e ushtrisë konsullore, pasi zbriti në Epir, me sa duket në Orik, ngriti lëmin e vet në afërsi të Nymfeut, në tokat e Apolonisë. Këndej një njësi prej 2 000 vetash u dërgua menjëherë për të zënë, siç na thuhet, “fortesat e dasaretëve dhe të ilirëve”. Po të gjykojmë nga të dhënat e mëvonshme, forcat romake duhet të jenë vendosur në këtë kohë në Lyhnid, Uskanë dhe në disa kështjella rreth saj, aty ku prania e tyre na del papritur në ngjarjet e dimrit të vitit 170/169. Ky aksion kishte një qëllim të largët strategjik. Ai duhet të siguronte pozitat romake në Iliri, të mbante të hapura rrugët kryesore për në Maqedoni dhe të bënte presion mbi Mbretërinë Ilire, duke e ndarë atë territorialisht nga Maqedonia.

Më vonë forca të pakta u dërguan në Greqi dhe u vendosën nëpër qytete si garnizone të vogla që kishin më tepër karakter simbolik. Një kontingjent i veçantë u dërgua në Thesali për të zënë Larisën si një pikë me rëndësi strategjike. Pasi ishin zënë pozitat e përparuara në Iliri e Thesali, në pranverën e vitit 171, senati vendosi të fillonte luftën kundër Perseut. Goditja do të jepej nga Thesalia. Ushtria konsullore pasi zbriti në Apoloni, përshkoi Epirin dhe ra në ultësirën thesale; këtu ajo u gjend përpara forcave të Perseut që kishin zënë rrugën e hyrjes për në Maqedoni; 40 000 ishin forcat konsullore përballë 43 000 forcave të Perseut, megjithatë të dyja palët iu shmangën betejave vendimtare dhe stina e verës së vitit 171 u mbyll pa ndonjë rezultat të shënuar, duke i lënë kundërshtarët në pozitat e mëparshme, fillestare.
Ndërkaq Roma nuk e la krejt pas dore edhe Mbretërinë Ilire.

Ndërsa ushtria konsullore u nis për të zbritur në Apoloni, flota romake vuri dorë mbi 54 anije të Gentit, pa marrë pëlqimin e mbretit dhe i përfshiu në përbërjen e forcave detare që do të zinin Qefaloninë dhe do të vepronin gjatë bregdetit grek në mbështetje të forcave tokësore romake. Më vonë romakët duket se ndërmorën një aksion të dytë, shumë të rëndësishëm, kundër Mbretërisë Ilire. Ndërsa po zhvillohej fushata verore në Thesali, konsulli urdhëroi të nënshtroheshin disa qytete në Iliri. Midis tyre Karnunti, një qytet i paidentifikuar, u bëri një qëndresë të fortë pushtuesve, prandaj pretori që komandonte forcat romake, urdhëroi plaçkitjen e këtyre qyteteve. Nuk është thënë qartë për ç’qëllim u organizua kjo fushatë, megjithatë një ngjarje që ndoshta mund të lidhej me të, do të ishte ajo që ka të bëjë me ndryshimet në kufirin jugor të Mbretërisë Ilire.

Duke qenë në marrëdhënie të ndera me Gentin dhe pasi dështuan përpjekjet për ta bërë atë për vete, senati urdhëroi aneksimin e tokave dhe të qyteteve parthine që i pat njohur Pleuratit më 196 dhe e shtyu kufirin e Mbretërisë Ilire nga Genusi në Ardaksan, aty ku shënohet disa vite më vonë. Në këtë rast Karnunti dhe qytetet e tjera që u sulmuan bashkë me të duhen kërkuar në veri të Genusit. Është për t’u shënuar se si për rastin e grabitjes së anijeve, ashtu dhe për ndryshimet që ndodhën në kufirin jugor të mbretërisë, sundimtari ilir nuk jep asnjë shenjë kundërshtimi, sepse, me sa duket, nuk ishte në gjendje ta bënte një gjë të tillë.

You must be logged in to post a comment Login