Fushata e vitit 230 kundër Epirit


Trashëgimi në fron i takonte të birit, Pinit, që Agroni e kishte me gruan e dytë, Triteutën. Meqë ky ishte i mitur, sundimin e mori në dorë bashkëshortja e tij e parë, Teuta. A ishte ky një veprim i ligjshëm apo një uzurpim nuk dihet me saktësi, por ardhja e saj në fuqi paraqet një rast të veçantë në të drejtën e trashëgimisë. Mundet që paaftësia e së ëmës t’i ketë lënë vendin thjeshtrës; mundet gjithashtu që në vijën mashkullore të mos ketë pasur një tjetër më të afërt me trashëgimtarin e ligjshëm, por më shumë ka të ngjarë që thjeshtra energjike nuk donte t’ia kalonte këtë të drejtë një dege tjetër të familjes mbretërore, e cila mund të sillte më vonë ndërlikime në fatin e pinjollit të Agronit. Sidoqoftë ardhja e saj në fuqi nuk u bë në rrugë të zakonshme dhe vdekja e papritur e Agronit, ka të ngjarë të ketë krijuar në oborrin ilir një gjendje të nderë. Por çështja gjeti zgjidhjen e vet. E përkrahur nga përfaqësuesit më të fuqishëm të shtresës sunduese ilire, “miqtë” e mbretit, ajo u vu në krye të shtetit dhe me ta “ushtroi – siç thotë Polibi, – drejtimin e punëve”.

Teuta nuk e ndryshoi politikën e jashtme të shtetit ilir dhe veprimtaria e mëtejshme e tij u zhvillua në frymën e aleancës së farkëtuar nga Agroni me Maqedoninë. Në vitin 230, një vit pas fitores mbi Medionin, një forcë ushtarake dhe detare ilire, “jo më e vogël se ajo e Agronit”, u vu përsëri në lëvizje drejt jugut. Këtë radhë ajo kishte si objektiv kryesor aleatin verior të etolëve dhe aheasve, Epirin. Njëkohësisht flota ilire kishte marrë urdhër të konsideronte troje armike gjithë anëdetjen dhe t’i shtrinte veprimet deri thellë në Elidë dhe në Meseni, krahina që ishin nën ndikimin etol. Me këtë aksion flota do të mbante nën presion armikun deri në skajet më të largëta dhe do të përcaktonte qëndrimin e shtetit ilir ndaj aleatëve të etolëve e të aheasve, kurse forcat kryesore do të godisnin nga deti dhe nga toka objektivin kryesor, Epirin.

Forcat detare ilire zbritën në afërsi të kryeqendrës së Lidhjes Epirote, Foinikes, dhe u drejtuan kundër saj. Pasi bindën mercenarët galë t’u dorëzonin qytetin, e zunë atë pa vështirësi. Epirotët të shqetësuar dërguan forcat e tyre në ndihmë të Foinikes. Por pa arritur mirë të vendosin lëmin e tyre buzë lumit, që rrjedh pranë qytetit (Bistrica e sotme), morën vesh se një ushtri tjetër ilire prej 5 000 vetash, nën komandën e Skerdilaidit, ishte drejtuar kundër tyre, duke kaluar nëpër ngushticën e Antigonesë (gryka e Tepelenës). Forcat epirote që u dërguan kundër tyre nuk e ndaluan dot marshimin ilir. Ndërkaq ilirët që kishin zënë Foiniken ndërmorën një sulm të fuqishëm kundër lëmit epirot që ndodhej në anën e përtejme të lumit (Bistricës). Epirotët u shpartalluan plotësisht, duke lënë në fushë të luftës shumë të vrarë e të plagosur; vetëm një pjesë mundën të shpëtojnë e të ikin tek atintanët. Por edhe këtë radhë dështimin e epirotëve Polibi e shpjegon me befasinë e goditjes ilire dhe shkujdesjen e armiqve të tyre.

Pas këtij dështimi epirotët e humbën çdo shpresë në fuqitë e veta dhe iu drejtuan për ndihmë aleatëve të tyre etolë e aheas. Ndihma nuk vonoi t’u jepej dhe forcat e të dy lidhjeve arritën në vendin e quajtur Helikanon (një vend i paidentifikuar) diku në pellgun e Vurgut. Këtu erdhën dhe pushtuesit e Foinikes bashkë me forcat e Skerdilaidit, që duhet të kenë ndjekur rrugën më të shkurtër nga qafa e Skarficës për të arritur në Foinike. Të dyja palët u radhitën përballë njëra-tjetrës, por nuk arritën të përleshen, sepse, siç thotë Polibi, ilirët morën urdhër nga Teuta të tërhiqeshin nga Epiri, për t’u dalë përpara dardanëve që po sulmonin nga lindja dhe për të qetësuar disa nga fiset që ishin bashkuar me ta.

Sa qe real dhe serioz ky rrezik dardan nuk mund të thuhet, por fakti është se ilirët nuk u shqetësuan shumë dhe nuk u shpejtuan të largohen nga Epiri pa i rregulluar mirë punët e tyre. Ata përfunduan më parë një armëpushim me epirotët, në bazë të të cilit u kthenin atyre qytetin dhe robërit që ishin qytetarë të lirë, kundrejt një shpërblimi, kurse skllevërit dhe plaçkën i mbajtën për vete. Ushtria dhe flota morën rrugën e kthimit duke marrë me vete, me sa duket, edhe premtimin për një aleancë të ardhme. Dhe me të vërtetë kjo nuk vonoi të përfundohet. Përfaqësuesit epirotë arritën me të shpejtë te mbretëresha ilire dhe përfunduan me të një aleancë, duke marrë përsipër të ndihmonin ilirët dhe të jenë armiq të etolëve dhe të ahejve. Po këtë gjë bënë edhe akarnanët, të cilët kishin ardhur së bashku me epirotët. Rezultati u arrit: Epiri u shkëput nga etolët dhe aleanca me akarnanët krijoi tani një kufi të largët, por të drejtpërdrejtë midis lidhjeve greke dhe shtetit ilir.

Shqetësimet në Romë. Përgatitjet për luftë

Shqetësimet në Greqi qenë të mëdha, por më të mëdha ishin ato në Romë. Reagimi romak është transmetuar në dy versione. Versioni i parë i përket Polibit. Sipas tij, në këtë kohë senati dërgoi te mbretëresha ilire dy delegatë për t’u ankuar kundër sulmeve të piratëve ilirë, të cilët prej kohësh u binin në qafë tregtarëve italikë, por që e kishin tepruar sidomos gjatë fushatës kundër Foinikes. Bisedimet përfunduan në grindje dhe fyerje, që çuan në vrasjen, me urdhrin e Teutës, të njërit prej delegatëve, gjatë rrugës duke u kthyer. Bisedimet janë dhënë me hollësi megjithatë vërtetësia e tyre është e dyshimtë. Teutës, i është veshur një qëndrim mendjelehtë prej gruaje, që me të drejtë është konsideruar si një formulim tipik i huajtur nga historiografia helenistike e llojit sensacional.

Versioni i dytë, ai i Apianit, ndryshon shumë prej atij të Polibit. Sipas tij Agroni kishte pushtuar disa vise të Epirit dhe Korkyrën, pastaj Epidamnin dhe Farin dhe kishte vendosur garnizone në to. Por meqë zuri të sulmojë me flotën e tij edhe vise të tjera, ishulli Isa kërkoi ndihmën e romakëve. Këta atëherë dërguan delegatë së bashku me isejtë, por delegatëve u dolën në det anijet ilire dhe vranë përfaqësuesin e Isës dhe një romak. Pra në versionin e dytë motivi nuk është aspak pirateria, por mbrojtja e Isës dhe e qyteteve të tjera të bregdetit; delegatët vriten, por pa arritur të zhvillojnë bisedime dhe Teuta nuk zihet aspak në gojë.

Sidoqoftë në të dy rastet, sipas këtyre burimeve, Romës i bëhej një fyerje dhe shkelej “e drejta njerëzore”. Ky ishte motivacioni me të cilin do të nxitej opinioni publik dhe do të justifikoheshin veprimet e mëtejshme të Republikës, një motivacion banal, të cilin politika romake do ta përsëriste të paktën edhe një herë tjetër më vonë kundër ilirëve dalmatë. Por këtë herë prej gojës së Polibit mësojmë, për çudi, se romakët u shpallën luftë dalmatëve për t’i nënshtruar, “por përpara popujve të tjerë hiqeshin se e bënin këtë për shkak të sjelljes së keqe të dalmatëve kundrejt përfaqësuesve të tyre”.
Roma filloi të përgatitej haptazi për luftë. Edhe mbretëresha ilire nga ana e saj nuk vonoi të marrë masa mbrojtëse. Më parë ajo u kujdes për forcimin e rendit të brendshëm dhe qetësoi fiset që qenë shkëputur pas sulmit dardan. Por vëmendjen kryesore Teuta ia kushtoi sigurimit të bregdetit. Ajo e dinte se në gjendjen e krijuar një pozitë me rëndësi zinin Isa në veri, Korkyra në jug dhe dy qytetet e mëdha të bregdetit, Dyrrahu e Apolonia. Ishte e qartë se këto ishin pikat më delikate që do të synonte armiku dhe zotërimi i tyre do të luante një rol të dorës së parë për fatin e luftës. Prandaj mbretëresha shpejtoi të vërë dorë mbi to.

Isa u sulmua e para, por meqenëse nuk u dorëzua, ilirët vendosën bllokadën e saj. Pak më vonë, në pranverë të vitit 229, një ekspeditë e madhe u vu, njëkohësisht në lëvizje, kundër Epidamnit dhe Korkyrës. Ndërsa shumica e flotës vazhdoi lundrimin drejt jugut, një pjesë e saj u ndal në Epidamn. Orvatja për pushtimin e qytetit dështoi. Atëherë ilirët u tërhoqën në anijet e tyre dhe pasi dolën në det të hapur, u bashkuan përsëri me forca të tjera për të vazhduar lundrimin drejt Korkyrës. Sapo mbërritën këtu, forcat ilire zbarkuan dhe rrethuan qytetin. Korkyrasit e rrethuar kërkuan ndihmën e etolëve dhe të aheasve. Në të njëjtën kohë erdhën për të kërkuar ndihmë tek ata edhe delegatë nga Epidamni dhe Apolonia. Kërkesa u mor parasysh.

Flota ahease prej 10 anijesh të mëdha lufte nxitoi drejt Korkyrës. Ilirët, si morën dhe 7 anijet që u kishin dërguar akarnanët, sipas marrëveshjes, u dolën ahejve përpara. Ndeshja u zhvillua afër ishullit Paksos. Flota ahease u shpartallua. Katër anije u kapën dhe një e pestë u fundos, të tjerat u detyruan të sprapsen me shpejtësi për t’i shpëtuar fatit të të parave. Lembet e lehta e të shpejta ilire vendosën fatin e kësaj beteje. Të përdorura me guxim e shkathtësi nga detarët ilirë, ata triumfuan mbi anijet e rënda katër e pesërremëshe greke. Pas kësaj Korkyra iu dorëzua ilirëve. Si morën në dorëzim qytetin, ilirët lanë këtu një garnizon nën komandën e Demetër Farit, kurse forcat kryesore u kthyen dhe bllokuan përsëri Dyrrahun.
E tillë ishte gjendja kur forcat e paftuara romake u nisën kundër Ilirisë.

You must be logged in to post a comment Login