Shteti ilir – Fuqi mesdhetare , Lufterat kunder romes (231 – 168)


Në historiografinë moderne është bërë zakon që shtetin ilir të mesit të shek. III ta quajnë shteti ardian. Studiuesit që e pagëzuan me këtë emër ia atribuojnë formimin e këtij shteti fisit të ardianëve. Sipas tyre, ky fis, i shtyrë nga keltët që vinin nga veriu u bart gjatë shek. IV në bregun e djathtë të Naronës, përballë ishullit Far, në jug të dalmatëve; pa i braktisur këto krahina, aty nga mesi i shek. III p.e.sonë në kohën e sundimit të Pleuratit, atit të Agronit, ardianët zbritën gjatë bregdetit deri thellë në jug. Nën goditjet e ardianëve, sipas këtyre studiuesve, ranë mbretëritë e vjetra të enkelejve dhe të taulantëve dhe ardianët u imponuan pushtetin e tyre gjithë fiseve të Ilirisë së Jugut; u krijua kështu një mbretëri e re, shumë më e gjerë sesa të parat, që shtrihej nga kufijtë e Epirit deri përtej Naronës në veri.

Kjo tezë, ndonëse përfaqësonte mendimin më të përhapur, nuk mbeti pa u kundërshtuar. Studiues të tjerë vunë në dyshim rolin e ardianëve në formimin e shtetit dhe u përpoqën që t’i zëvendësonin ata me labeatët, të cilët kishin një pozitë qendrore në mbretëri ndaj asaj periferike të ardianëve. Nuk u pranua gjithashtu origjina ardiane e dinastisë themeluese të Agronit, e cila u kërkua përsëri te labeatët; u vu në dukje me të drejtë, se Agroni njihej si mbret i ardianëve, vetëm te historiani Dion Kasi, një burim i vonë i shekullit II të erës sonë, kurse autorë të tjerë, më të hershëm e më të besueshëm, e përmendin si një mbret të ilirëve. Më në fund u përjashtua mundësia e lindjes së këtij shteti, si rrjedhojë e pushtimeve të një fisi dhe u paraqit si krijesë e një grupi sundimtarësh, të cilët bashkuan fise që kishin interesa të përbashkëta dhe lidhje afërie me dinastinë pushtuese.

Me gjithë ndryshimet që paraqesin pikëpamjet e shqyrtuara, ato bashkohen në vështrimin që i bëjnë thelbit të çështjes: formacioni politik për të cilin bëhet fjalë paraqitet si një shtet fisnor dhe si një vepër personale e një sundimtari, qoftë ky Pleurati apo i biri i tij, Agroni.
Teza mbi zhdukjen pas vitit 270 të mbretërisë së enkelejve dhe të taulantëve dhe formimi rreth mesit të shek. III p.e.sonë i një mbretërie ardiane shumë më të gjerë e më të fuqishme se të parat paraqitet sot si një trajtesë mekanike. Me të drejtë është vënë në dukje se kësaj teze i mungon argumentimi historik dhe se e ashtuquajtura mbretëri e enkelejve është një krijesë e historiografisë moderne.

Nga ana tjetër, shteti ilir i mesit të shek. III shihet si një dukuri krejt e re në botën ilire. Sipas autorëve të kësaj pikëpamjeje ilirët nuk njihnin më parë veçse një rend fisnor dhe vetëm pas mesit të shek. III u krijua ky “entitet politik krejtësisht i ri”. Analiza objektive e burimeve tregon se mbretëria e Agronit është trashëgimtare e drejtpërdrejtë e shtetit të mëparshëm ilir, pa asnjë ndërprerje në traditën e vet politike. Qendra e këtij shteti ka qenë më në jug se sa pranohet dhe bërthamën e tij kryesore e përbënin tokat e shtetit të vjetër ilir, të cilat gjatë konfliktit me Romën u bënë teatri i veprimeve më të rëndësishme ushtarake. Ardianët banonin gjithashtu më në jug; sipas autorëve antikë ata nuk janë veçse një nga popullsitë e rëndësishme që bënin pjesë në shtetin ilir dhe nuk u njihet ndonjë rol i veçantë në formimin e mbretërisë së Agronit. Përfshirja e tyre në përbërjen e shtetit ilir ndodhi, sikurse është vënë në dukje me të drejtë, në drejtim të kundërt nga ai i pranuar, nëpërmjet shtrirjes së këtij shteti në veri.

Burimet tregojnë qartë se banorët e këtij shteti quhen si më parë “ilirë”, vendi “Iliri” dhe sundimtarët “mbretër ilirë”.
Meqë në jetën politike të shtetit ilir nuk ka pasur asnjë ndërprerje, dinastia e Agronit duhet të ketë qenë e re dhe me origjinë veriore. Midis asaj dhe sundimtarëve të mëparshëm nuk ka pasur asnjë lidhje. Ka të ngjarë që në mesin e shek. III p.e.sonë ose pak më parë, shteti ilir të ketë njohur një periudhë trazirash të brendshme, hollësitë e të cilave nuk i dimë. Nuk është çudi që zhvillimi i vrullshëm i qyteteve të Veriut, të mbetura jashtë konflikteve luftarake që prekën pjesën jugore të shtetit ilir bashkë me qytetet e tij, të ketë ndryshuar raportin e forcave dhe të ketë ndikuar apo të jetë bërë bazë e ndryshimeve politike që pasqyrohen vetëm në ndryshimin e dinastisë sunduese dhe në shkëputjen e dy qyteteve të rëndësishme të Adriatikut Lindor, Dyrrahut e Apolonisë, nga shteti ilir.

Historia e 60 vjetëve të fundit (231-168 p.e.sonë) të shtetit ilir është kryesisht historia e luftërave me Romën. Ngjarjet që u zhvilluan në prag të këtyre luftërave janë vetëm një prelud i tyre. Megjithatë këto janë një dëshmi e rëndësishme për vendin që zinte ky shtet midis fuqive të tjera të Ballkanit dhe për rolin e tij historik në ngjarjet politike të kohës.

Burimi më i rëndësishëm për këto luftëra është vepra e historianit grek Polibi. Por, kjo vepër e shek. II p.e.s., që përfaqëson një histori të përgjithshme, përshkohet nga një tendenciozitet dhe subjektivizëm i theksuar, ku nuk fshihet simpatia ndaj Romës. Historia e ilirëve, ashtu sikurse në përgjithësi historia e kundërshtarëve politikë të Romës, paraqitet e shtrembëruar. Qëllimi kryesor i Polibit është të justifikojë në këtë vepër pushtimet romake, të cilat i quan të drejta, të nevojshme dhe të dëshirueshme nga popullsitë vendase. Për Polibin këto pushtime ishin të pashmangshme, sepse “fati i kishte caktuar Romës misionin të sundojë botën”. Një pjesë e burimeve që ka përdorur Polibi vjen nga historiani më i lashtë romak Fabi Piktor dhe, sipas një mendimi të përgjithshëm, ka karakter thjesht propagandistik.

Burimet e tjera për këtë periudhë, duke qenë nën ndikimin e një tradite të korruptuar rëndë paraqiten më të pasakta. Kjo vihet re në radhë të parë tek Livi, i cili i kushton më tepër vëmendje efektit retorik e moralizues sesa të vërtetës historike. Për hir të paraqitjes së bukur dhe tërheqëse të ngjarjeve, ai shpeshherë sakrifikon këtë të vërtetë. Tregimet e tij janë të veshura me petkun moralizues dhe në mjaft raste me hollësi fantastike.
Shumë të pasigurta janë edhe njoftimet e shkrimtarëve të tjerë, Dion Kasi e Apiani, që përfaqësojnë ritransmetime të cunguara, dhe më tepër të pasakta të tradicionit të vjetër.

Aleanca iliro-maqedone.

Sulmi kundër Medionit

Në vitet 30 të shek. III p.e.sonë shteti ilir kishte arritur kulmin e fuqisë së vet. Polibi thotë se “Agroni, mbreti i ilirëve dhe i biri i Pleuratit, kishte një fuqi detare dhe tokësore shumë më të madhe nga ajo që kishin pasur mbretërit e mëparshëm të Ilirisë”. Kufijtë e shtetit të tij përfshinin një trevë të gjerë që nga Narona deri në Aoos me përjashtim të Dyrrahut e të Apolonisë. Qytetet e veriut, Lisi, Skodra, Ulqini e Rizoni, me limanet e gjiret e tyre të mbrojtura, strehonin flotën e fuqishme ilire dhe përbënin bazën e shtetit ilir.

Ndër fqinjët e shtetit ilir vetëm Mbretëria Dardane ishte në ngjitje, ndërsa vendet jugore jetonin ditë të vështira. Epiri, Maqedonia dhe Greqia ishin të kapërthyera nga luftërat e ashpra socialo-politike dhe rivaliteti midis tyre. Në mesin e shek. III pozita e Maqedonisë ishte lëkundur përsëri. Përpjekjet e Antigon Gonatës për të ruajtur hegjemoninë e saj në Greqi nuk sollën rezultatet e pritura. Pasardhësi i tij Demetri II u gjet në një situatë edhe më të vështirë. Lëvizja antimaqedone ishte forcuar, sepse më në fund dy lidhjet e mëdha greke, ajo Etole dhe Ahease ishin bashkuar kundër Maqedonisë. Përmbysja e monarkisë në Epir (viti 234) dhe dalja e këtij vendi nga aleanca me Maqedoninë për t’u bashkuar me koalicionin republikan, antimaqedon, e rëndoi edhe më shumë gjendjen. Raporti i forcave ndryshoi në dëm të Maqedonisë.

Në vitin 231 të dy lidhjet e shtuan presionin e tyre ushtarak mbi Maqedoninë, duke ndërhyrë me forca të armatosura kundër Akarnanisë, një vend i vogël që gëzonte mbrojtjen e Maqedonisë. Pothuajse në të njëjtën kohë një sulm i furishëm dardan i pavarur apo i bashkërenduar, shpërtheu mbi Maqedoninë nga veriu. I ndodhur ngushtë, si rrallë ndonjëherë, Demetri kishte nevojë për aleat dhe këtë e gjeti te sundimtari i shtetit ilir, Agroni.

Kushtet e marrëveshjes nuk pasqyrohen në burimet historike të kohës. Versioni i Polibit, që është edhe burimi i vetëm për këtë çështje, sipas të cilit se Demetri ia mbushi mendjen Agronit me të holla për të ndihmuar qytetin akarnan Medionin, që mbahej i rrethuar nga etolët, duket se shpreh tendencën e këtij autori për t’u rezervuar ilirëve një pozitë të padenjë. Ngjarjet konkrete që u zhvilluan pas kësaj e sqarojnë më mirë politikën e shtetit ilir, si edhe domethënien e përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje.

Sidoqoftë një aleancë midis Maqedonisë dhe Ilirisë qe përfunduar dhe ajo i vinte këto dy shtete kundër koalicionit republikan në Greqi dhe kundër rrezikut që vinte prej tij. Ky rrezik qe bërë real në Epir dhe mund të ndikonte keq edhe përtej kufijve të tij. Ky ishte shkaku i kësaj aleance, për hir të së cilës Maqedonia do të sakrifikonte, siç do ta shohim, disa nga interesat e saj në Epir dhe në brigjet e Jonit, për të kënaqur aspiratat ilire në këto anë.
Aleanca hyri në veprim; ndërsa Demetri ishte i zënë me dardanët, një flotë ilire prej 100 anijesh me 5 000 veta u dërgua nga Agroni kundër etolëve në Medion. Etolët, që e mbanin të rrethuar qytetin, prisnin dorëzimin e tij nga çasti në çast. Ata ishin aq të sigurt saqë kishin filluar të bënin llogaritë për ndarjen e plaçkës. Të shkujdesur nga çdo problem i karakterit ushtarak, etolët u gjetën përpara të papriturës së hidhur. Ilirët që ishin futur në liman natën pa u ndjerë, zbritën me të shpejtë nga anijet dhe pasi u rreshtuan në formacion luftarak u sulën kundër lëmit etol. Ilirët ditën ta maskojnë mirë lëvizjen e flotës së tyre të madhe dhe të hyjnë në gjirin e Ambrakisë, pa u diktuar.

Por edhe sikur të kishte ndodhur ndryshe, asnjëra nga flotat e dobësuara greke nuk qe në gjendje t’u dilte atyre përpara. Duke përshkruar këtë fushatë, Polibi i atribuon një rol të veçantë befasisë në taktikën ilire dhe qëndrimit të shkujdesur të armiqve të tyre. Në të vërtetë ruajtja e fshehtësisë në lëvizjen e forcave, ashtu sikurse befasia janë elemente të domosdoshme të taktikës luftarake. Por këta nuk qenë faktorët kryesorë që vendosën fatin e betejës. Nga vetë zhvillimi i saj nuk është vështirë të kuptohet se rolin vendimtar në këtë ndeshje e luajti organizimi më i mirë i ushtrisë ilire dhe epërsia e saj taktike në manovrimin e forcave. Pesha që kishte “rreshtimi i tyre” dhe përqendrimi i forcës goditëse në pikën më të dobët të armikut, pohon Polibi, bënë që ilirët të shkulnin armikun nga pozicionet e tij. Të thyer nga ilirët, etolët u gjetën pas kësaj midis dy zjarreve. Medionasit, që deri atëherë qëndronin të mbyllur në qytet, dolën dhe i ranë armikut në shpinë. Të asgjësuar, etolët lanë në fushën e betejës shumë të vrarë e të plagosur dhe gjithë pajisjet e tyre luftarake.

Përshtypja që bëri në Greqi kjo ngjarje qe shumë e madhe. Ushtria që mbahej si më e forta ndër ushtritë greke, që krenohej me traditat e saj luftarake, për fitoren mbi galët në vitin 270 dhe që për gati 10 vjet me radhë i kishte shkaktuar kaq telashe Demetrit II të Maqedonisë, kishte marrë papritur një grusht dërrmues. Jo më i vogël qe edhe shqetësimi që ngjalli në botën greke kjo ngjarje, që nuk dihej se ç’pasoja mund të kishte. Por ilirët nuk kishin detyrë tjetër këtë radhë veç zhbllokimit të Medionit, gjë që u dha mundësi të izolonin Epirin nga kontakti me etolët, duke përgatitur kështu kushtet për një ndërhyrje të gjerë në këtë vend. Pas përfundimit të betejës ata ngarkuan menjëherë plaçkën në anijet e tyre dhe morën rrugën e kthimit. Në atdhe fitorja mbi etolët u kremtua me të madhe dhe Polibi tregon se mbreti Agron u dha aq shumë pas të pirit dhe dëfrimeve saqë ato i shkaktuan vdekjen.

You must be logged in to post a comment Login