Historia e Shqiperise / Shtetet ilire (video)


Në fundin e shek. V p.e.sonë ilirët hynë në rrugën e zhvillimit skllavopronar. Në shekujt që pasuan e deri në pushtimin romak krahinat më të përparuara ilire, ato jugore, kryesisht bregdetare, njohën zhvillimin e tyre më të lartë shoqëror e politik të pavarur. Urbanizimi intensiv i kësaj treve dhe zhvillimi që mori, për pasojë, mënyra antike e prodhimit në shek. IV-III p.e.sonë çoi në krijimin e një shoqërie antike të mirëfilltë dhe në formimin e një vargu shtetesh ilire, të cilat u inkuadruan në qytetërimin e përparuar të botës mesdhetare.
Midis formacioneve shtetërore që u formuan në trevën e gjerë ilire, ai që arriti një shkallë të lartë të zhvillimit politik dhe që luajti një rol të shquar në ngjarjet politike të kohës qe Shteti Ilir apo Mbretëria Ilire. Që nga dukja e këtij shteti emrat ilir dhe Iliri morën, përveç kuptimit të gjerë etnik, edhe një kuptim të ngushtë politik, që u lidhën me fatet historike të këtij formacioni shtetëror dhe të popullsisë së tij, e cila në burimet e shkruara do të njihet me emrin Illyrii propriedictii (ilirë të mirëfilltë). Në kohë të ndryshme Mbretëria Ilire ushtroi pushtetin e vet, natyrisht me luhatjet që i imponuan rrethanat politike, në një territor të gjerë që përfshinte krahinat prej lumit Naretva (Narona) në veri e deri te lumi Vjosa (Aous), në jug me një shtrirje drejt lindjes deri te liqenet Lyhnide në kufi me Maqedoninë dhe më në veri me Mbretërinë Dardane.
Në krahinat më jugore ilire u formua një shtet tjetër i rëndësishëm ilir i njohur me emrin Shteti i Epirit, i cili shquhet sidomos në ngjarjet politike të fundit të shek. IV dhe të çerekut të parë të shek. III p.e.sonë. Në kohën e shtrirjes më të gjerë të tij, ai përfshinte tokat prej lumit Vjosa (Aous) e deri në gjirin e Artës (Nikopolit), duke u kufizuar nga jugu me Akarnaninë, kurse nga lindja me Thesalinë e Maqedonisë.
Në këtë hapësirë kanë ekzistuar si formacione shtetërore të pavarura edhe një varg qytetesh shtete, si Dyrrahu, Apolonia, Ambrakia, historia politike e të cilave u zhvillua herë në lidhje të ngushtë e herë në kundërshtim me atë të Shtetit Ilir dhe të atij të Epirit. Në rrethana të caktuara politike lindin gjithashtu formacione më pak të rëndësishme në formën e lidhjeve qytetare (Koinon), si ajo e Bylinëve etj., që kanë një peshë më të vogël në historinë politike të Ilirisë.
Në krahinat e brendshme jugore dhe qendrore ilire u formuan tri mbretëri të vogla ilire: e paionëve, e dardanëve dhe e athamanëve. E para shfaqet me një shkëlqim të shkurtër në shek. IV p.e.sonë për të rënë pastaj shpejt nën goditjet e politikës ekspansioniste të shtetit maqedon, kurse dy të fundit dalin në arenën politike në shek. III me një rol të parëndësishëm.
Popullsitë ilire të krahinave të brendshme qendrore e veriore nuk njohën deri në fillim të erës sonë një organizim politik shtetëror; edhe në këtë kohë ato arritën të organizohen vetëm në federata fisnore, siç është rasti i dalmatëve ose i fiseve të tjera.

1. ZHVILLIMI EKONOMIK E SHOQËROR I ILIRËVE NË SHEK. IV P.E.SONË

Lindja e qyteteve dhe e jetës qytetare

Zhvillimi ekonomik e shoqëror i Ilirisë gjatë epokës së hekurit dhe veçanërisht gjatë shek. VII-V p.e.sonë kishte përgatitur kushtet për lindjen e qyteteve dhe të jetës qytetare. Siç dëshmojnë të dhënat arkeologjike, qytetet ilire ngrihen mbi bazën e vendbanimeve të fortifikuara të epokës së hekurit dhe të qendrave protourbane që u krijuan si rezultat i zhvillimit të zejtarisë, të bujqësisë, të blegtorisë, si edhe të intensifikimit të marrëdhënieve të këmbimit me botën greke. Kjo dëshmohet nga prania e gjerë e qeramikës së importuar korinthike e jonike dhe më pas edhe nga prodhimet e kolonive greke në Dyrrah e në Apoloni, të cilat kishin hyrë në marrëdhënie të ngushta me prapatokën ilire.

Lindja dhe zhvillimi i jetës qytetare ishte një dukuri me karakter ekonomik e shoqëror tërësisht e re. Thelbi i saj ishte vendosja e ekonomisë antike të tregut që u materializua me krijimin e qyteteve si qendra prodhimi e shkëmbimi. Kjo është e lidhur me shkëputjen e plotë të zejtarisë nga bujqësia, me krijimin e mënyrës antike të prodhimit dhe me zbatimin e punës së skllavit në degët e ekonomisë.

Njoftimet më të hershme për ekzistencën e qyteteve në Iliri i takojnë mesit të shek. IV p.e.sonë. Historiani grek, Diodori, duke përshkruar fushatat e Filipit II kundër ilirëve thotë se mbreti i Maqedonisë “u lëshua mbi Ilirinë me një ushtri të fortë, plaçkiti vendin, nënshtroi shumë qytete të vogla dhe u kthye në Maqedoni me plaçkë të madhe”. Oratori i madh, Demosteni, duke paralajmëruar athinasit për rrezikun që i kërcënonte nga mbreti maqedon, vë në dukje gjithashtu se “Filipi po fortifikonte qytete në Iliri”. Pak më vonë historianët grekë të shek. II p.e.sonë Ariani e Rufi përmendin me emër Polionin si qytet i Dasaretisë, kurse historiani i shek. IV p.e.sonë Theopompi përmend qytetin Oidanton. Më në fund nga të dhënat numizmatike të fillimit të shek. IV p.e.sonë mësojmë emrin e një qyteti të rëndësishëm ilir, Damastion. Kuptohet se origjinën e këtyre qyteteve, që janë të pranishme në mesin e shek. IV p.e.sonë, (një rast vërtetohet qysh në fillim të këtij shekulli), duhet ta kërkojmë pak më parë, d.m.th. në fundin e shek. V p.e.sonë.

Nuk dihet me saktësi se ç’paraqesin në vetvete këto qytete të hershme ilire. Dëshmitë e autorëve antikë, përveç faktit që kumtojnë ekzistencën e tyre, janë tepër të varfra për të ndihmuar që të rindërtohet pamja reale e këtyre qendrave urbane.

Edhe nga pikëpamja arkeologjike nuk ka ende gjurmime të tilla, nëpërmjet të cilave të dallohet qartë qyteti i kësaj kohe. Megjithatë, prej qyteteve antike, rrënojat e të cilave ruhen në vendin tonë, mund të pohohet se qyteti i mirëfilltë në Iliri formohet kryesisht gjatë shek. IV p.e.sonë. Në këtë kohë kemi edhe dëshmitë e qarta si nga burimet e shkruara, ashtu edhe nga ato arkeologjike.

Këto qytete ashtu sikurse vendbanimet e fortifikuara të epokës së hekurit, ngrihen mbi kodra të mbrojtura nga pikëpamja natyrore, por shtrihen me sipërfaqe relativisht më të gjera, që arrijnë deri në 10-20 ha. Muret e tyre rrethuese janë ndërtuar me një teknikë më të përparuar me blloqe shumëkëndëshe, trapezoidale; ato janë mjaft të fuqishme dhe me një bukuri të rrallë (Amantia, Klos, Çuka e Aitojt etj.), por sistemi i fortifikimit në përgjithësi është ende i thjeshtë; ai nuk njeh kullat, rolin e të cilave e luajnë deri diku kthesat me kënd të drejtë, që bën muri herë mbas here për arsye qëndrueshmërie; edhe portat në këtë sistem janë të pakta e me një mbrojtje më të dobët.

Qytetet e mëdha zënë një pozitë qendrore në krahinën që zotërojnë dhe shtrihen në një hapësirë prej 30-40 ha, siç është rasti i Bylisit, i Antigonesë, i Lisit etj., dhe janë të mbrojtura me mure të fuqishme.
Duke folur për qytetet e kësaj kohe Diodori i quan ato me termin polisma, që do të thotë qytete të vogla, me sa duket ende në shkallën fillestare të zhvillimit të tyre. Demosteni, në shek. IV p.e.sonë përkundrazi, përdor termin poleis që do të thotë qytet. Ndryshimi që vërehet në termat e përdorur prej këtyre dy autorëve nuk duket të jetë i rastit; ai shpreh me sa duket një diferencim që u bëhet këtyre qendrave urbane ilire dhe që lidhet me karakterin e tyre. Pak dritë mbi këtë çështje hedh pohimi i Arianit, i cili e quan Pelionin si “qytetin më të fortë” midis qyteteve të Dasaretisë. Duket se disa qytete kishin mundur të ecnin përpara dhe të dalloheshin prej të tjerave. Interes të veçantë paraqet në këtë drejtim Damastioni, i cili është dhe i pari qytet ilir që pret monedha. Burimet tregojnë se ky qytet gjendej në shpinë të zonës bregdetare, diku midis kësaj zone dhe liqeneve lynkeste. Duke folur për këtë Straboni në shekullin e parë shkruan kështu: “Pas Epidamnit dhe Apolonisë gjer te malet Keraune ndodhen bylinët, taulantët, parthinët dhe brygët; aty afër gjenden dhe minierat e argjendit në Damastion, mbi të cilat diestët vendosën sundimin e tyre, si dhe enkelejtë, të cilët i quajnë dasaretë; afër këtyre vijnë lynkestët..”. Mungesa e të dhënave më të sigurta ka penguar që ky qytet të lokalizohet me saktësi, por duke u nisur nga arsenali i gjetjeve të monedhave të tij, ai duhet kërkuar në krahinat e brendshme ilire, diku në lindje të Drinit të Sipërm.

Pasazhi i Strabonit ka një rëndësi të veçantë dhe për një fakt tjetër. Ai tregon se Damastioni qe një qytet që lindi dhe u zhvillua në një zonë të pasur me miniera, të cilat, me sa duket përbënin edhe bazën ekonomike të tij. Shfrytëzimi i tyre dhe zhvillimi i zejtarisë së përpunimit të metaleve qenë degët kryesore të kësaj ekonomie. Karakteri i saj bëhet i qartë edhe nga simbolet që mbajnë monedhat e qytetit, të cilat paraqesin midis të tjerash çekanin e minatorit dhe shufrat metalike.

Damastioni është, kështu, shembulli i një qyteti zejtar të përparuar të kësaj kohe, por padyshim jo i vetmi. Pelioni shfaqet në burimet, jo vetëm si qyteti më i fortë midis qyteteve të Dasaretisë, por edhe si kryeqendër apo qendër rezidenciale e mbretit ilir. Ka mundësi që qytetet e tjera më të vogla, ato që Diodori i quan polisma, do të kenë qenë qendra njësish gjeografiko-ekonomike, ku do të ketë mbisunduar ekonomia bujqësore-blegtorale me ndonjë degë të kufizuar të zejtarisë.

Zejtaria, bujqësia e blegtoria

Lindja e qyteteve i dha një shtytje të re zhvillimit të degëve të ndryshme të ekonomisë ilire.
Zejtarinë e shfrytëzimit të minierave dhe të përpunimit të metaleve ilirët e njihnin dhe më parë, por asnjëherë si tani ajo nuk paraqitet si degë e veçantë e një qyteti, siç është rasti i Damastionit. Në shek. IV në zejtarinë e punimit të metaleve nuk vihet re ende ndonjë ndryshim cilësor, fjala vjen në punimin e veglave të punës, të armëve apo të zbukurimeve, në krahasim me shekujt pararendës. Por tani mund të flitet për një veprimtari më të gjerë e më intensive si në shfrytëzimin e minierave, ashtu edhe në prodhimtarinë e degëve të veçanta të zejtarisë metalpunuese. Bie në sy në mënyrë të veçantë rritja e prodhimit të armëve, që përbëjnë në këtë kohë gjetjet më të shumta nëpër nekropolet në krahasim me zbukurimet.

Megjithatë, nuk pati ndonjë përparim, në fushën e zejtarisë së prodhimit qeramik, madje importi e dobësoi për një kohë këtë degë të zejtarisë ilire.
Ndërkaq në fushën e ndërtimeve ndodh një revolucion i vërtetë. Mjeshtrat e ndërtimit shquhen në shek. IV për aftësitë e tyre arkitektonike e teknike dhe për njohuritë e thella në fushën e artit të fortifikimeve, që i zbatonin në nivelin më të përparuar të kohës, ashtu si në shumë vise të tjera të botës mesdhetare. Muret rrethuese të qyteteve të ndërtuara në stilin poligonal janë dëshmia më e qartë e arritjeve në këtë fushë.

Të dhënat për bujqësinë dhe blegtorinë e ilirëve për shek. IV janë të varfra. Autorët bashkëkohës, si Aristoteli, Skymni, Ariani etj., nuk bëjnë tjetër veçse përsërisin Hekateun, për shkak të njohjes ende të pamjaftueshme të Ilirisë; megjithatë Iliria për autorët grekë ishte vendi i një bujqësie e blegtorie të zhvilluar, tokat pjellore të së cilës shfrytëzoheshin vende-vende në mënyrë intensive dhe që krahas kulturave bujqësore (rritja e ullirit, kopshtaria e bletaria), në kullotat e pasura rritnin bagëti të mira të racës.
Të dhënat arkeologjike i vërtetojnë këto njoftime. Parmenda e paraqitur në buzët e një pitosi gjetur në fushën e Korçës, si dhe figurat simbolike të paraqitura në monedhat e Dyrrahut e të Apolonisë, apo në monumentet varrimore të kohës, si kalliri i grurit, dega e ullirit, bistaku i rrushit, bleta, lopa si dhe briri i bollëkut, simbol i pjellorisë dhe i begatisë, u bëjnë jehonë pasurive të tokës ilire dhe zhvillimit që kishin marrë bujqësia e blegtoria ilire në këtë kohë.

Tregtia dhe qarkullimi monetar

Si rrjedhim i zhvillimit të zejtarisë dhe të degëve të tjera të ekonomisë ilire u zgjeruan shkëmbimet dhe tregtia. Gjetjet arkeologjike dëshmojnë për një shtrirje të gjerë të prodhimeve të zejtarisë ilire. Tipat standardë të armëve, të zbukurimeve dhe të enëve prej balte që përsëriten në gjetjet nga një krahinë në tjetrën, dëshmojnë për marrëdhënie intensive midis popullsisë së krahinave të ndryshme dhe për një zhvillim të konsiderueshëm të këmbimeve midis tyre.
Një zhvillim më të gjerë morën në këtë kohë shkëmbimet me botën greke. Jo më kot pasuritë minerale dhe disa prodhime bujqësore tërhoqën vëmendjen e autorëve antikë të kësaj kohe. Duket se këto prodhime ishin ndër artikujt kryesorë të eksportit ilir. Një vend me rëndësi zinin këmbimet me kolonitë greke të bregdetit Adriatik dhe qytetet e Halkidës, të cilat merrnin nga Damastioni argjendin për prerjen e monedhave të tyre, kurse nga tokat e afërta të Atintanisë serën, që u duhej për ndërtimin e anijeve dhe lyerjen e enëve të transportit.

Kundrejt tyre ilirët merrnin prodhime luksi të artizanatit grek, midis të tjerave prodhime atike e italike. Krahas prodhimeve të Dyrrahut e të Apolonisë, enët e këtyre qendrave janë gjetje jo të rralla në vendbanimet e zonës bregdetare. Por ato fillojnë të duken më dendur edhe në krahinat e brendshme ilire. Pas Trebenishtit ato shfaqen edhe në luginën e mesme të Drinit, në afërsi të Kukësit e të Krumës. Këto prodhime arrijnë këtu nëpërmjet rrugëve tregtare të shkelura qysh në shek. VI-V, duke ndjekur luginat e lumenjve me pikënisje si nga qendrat e bregut Adriatik, ashtu edhe të Egjeut.

Monedhat e argjendit përdoren gjerësisht si ekuivalent shkëmbimi. Në krahinat bregdetare gjejnë një përhapje të madhe monedhat e Dyrrahut e të Apolonisë, kurse në ato të brendshme dhe lindore monedha e Damastionit. Gjetjet e deritanishme tregojnë se kjo monedhë qarkulloi në një zonë të gjerë që përfshinte krahinën e diestëve, penestëve dhe pjesërisht atë të lynkestëve.
Prerja dhe hedhja në treg e monedhave nga një qytet ilir si Damastioni është një fakt me rëndësi të veçantë. Ai tregon se tani, në pjesën e parë të shek. IV p.e.sonë, krahas Dyrrahut dhe Apolonisë, të cilat me monedhat e tyre, qysh nga shek.V p.e.sonë kishin mbuluar krahinat e afërta të ultësirës bregdetare dhe i kishin tërhequr ato në orbitën e marrëdhënieve skllavopronare, një qytet ilir, Damastioni, lindi dhe u bë qendër e rëndësishme ekonomike e krahinave të brendshme. Ai hodhi në treg monedhën e vet dhe me këtë shënoi shtrirjen e mëtejshme të sistemit monetar në krahinat e brendshme të Ilirisë Jugore. Ekonomia monetare theu kështu dhe në këtë pjesë të Ilirisë ekonominë e prapambetur natyrore, për t’i hapur rrugën një sistemi të ri ekonomik, skllavopronarisë.

Vendosja e skllavopronarisë

Me lindjen e qyteteve u krijua edhe një popullsi qytetare, e cila më parë nuk njihej. Burimet nuk e bëjnë të qartë përbërjen dhe karakterin e kësaj popullsie, por meqë qytetet ishin qendra ekonomike dhe administrative, edhe popullsia e tyre përbëhej nga masa e gjerë e prodhuesve zejtarë, bujq e blegtorë, nga pronarët e punishteve zejtare, tregtarët dhe aristokracia e vjetër fisnore që përbënte parinë e qytetit. Si e tillë, popullsia e qytetit paraqitej e diferencuar në shtresa shoqërore, me interesa të ndryshme. Prej tyre, pronarët e punishteve dhe tregtarët formonin shtresën e re të pasuruar, e cila zhvendos përfundimisht në plan të dytë aristokracinë e vjetër fisnore.

Si qendra ekonomike e politike më vete qytetet i rrethonte një popullsi fshatare e lidhur me ta nëpërmjet interesave ekonomikë të ndërsjelltë. Në burimet këto popullsi njihen akoma si fise të mëdha apo të vogla, por fisi nuk ka më kuptimin e tij klasik. Vetë dukja e qyteteve dhe prerja e qarkullimi i monedhave janë elemente që nuk pajtohen me rendin fisnor, ato i japin bashkësisë një përmbajtje të re nga pikëpamja e marrëdhënieve ekonomike e shoqërore.

Ashtu si në Maqedoni, edhe në Epirin fqinjë të kësaj kohe, shumica e popullsisë në Iliri jetonte në fshatra; qytetet ishin ende në numër të vogël. Masën kryesore të kësaj popullsie e formonte fshatarësia e lirë, por burimet bëjnë fjalë edhe për një popullsi fshatare të varur. Theopompi në veprën e tij “Filipika” shkruan se “ardianët kanë 300 mijë prospelatë si helotë…”. Me prospelatë autorët e vjetër kuptonin një popullsi të varur që merrej me punimin e tokës dhe që u jepte zotëruesve të saj si detyrim një pjesë të prodhimit.

Duke i krahasuar prospelatët e ardianëve me helotët e Spartës, Theopompi e përcakton edhe më mirë gjendjen e tyre sociale. Me sa duket edhe këta ishin, sikurse helotët, një popullsi e nënshtruar që pas pushtimit ishin shpronësuar dhe ishin kthyer në gjendje vartësie. Nuk kemi prova nëse kjo ishte një popullsi e huaj apo një fis tjetër ilir që pësoi këtë fat; numri i tyre gjithashtu duhet të jetë i tepruar, por mbetet i padiskutueshëm fakti që kemi të bëjmë me një masë popullsie mbi të cilën ushtrohet shtypje ekonomike dhe politike.
Midis ilirëve ky nuk ishte një fenomen i veçantë për ardianët. Një shekull më vonë Agatharkidi në veprën e tij “Evropaikon” do të pohojë se “dardanët kanë kaq shumë skllevër (ai i quan këta me emrin “dullos”), sa dikush kishte 1 000, kurse të tjerë edhe më shumë. Secili nga këta në kohë paqeje punon tokën, kurse në kohë lufte merr pjesë në ushtri duke pasur si prijës zotin (“despotes”) e tij”.

Edhe pse Agatharkidi përdor termin dullos, shpjegimet e mëtejshme e bëjnë të qartë se kemi të bëjmë me një popullsi të tipit të prospelatëve ardianë. Nuk ka asnjë dyshim që termi “dullos” përdoret këtu me kuptimin më të gjerë, ashtu sikurse ndodh shpesh që autorët antikë i quajnë helotët “dullë të lakeldemonëve”.

Një rast tjetër është ai që përmend Atheneu, për penestët. Sipas tij “thesalët quajnë penestë jo ata që lindin skllevër, por ata që shtihen në dorë me anë të luftës”. Dihet se me emrin penestë quhej një fis i tërë në territorin e Mbretërisë Ilire. Përkufizimi i Atheneut të çon në përfundimin se popullsia e këtij fisi duhet të ketë qenë e ngjashme nga pikëpamja e gjendjes shoqërore me prospelatët e ardianëve dhe dullët e dardanëve.

Prania e një popullsie të tillë të varur e të shfrytëzuar ekonomikisht midis ilirëve, është një dëshmi e rëndësishme për të përcaktuar karakterin dhe strukturën e shoqërisë ilire. Siç tregojnë të dhënat e autorëve antikë, popullsia e varur e tipit prospelatë-helotë-penestë përfaqësonte në këtë kohë në Iliri një formë të hershme të skllavërisë që ekzistonte në disa nga popullsitë kryesore ilire. Kjo kategori njerëzish përdorej në masë në punimet bujqësore dhe mbase edhe në shfrytëzimin e minierave. Zotërit e tyre (despotët) duket se banonin në qendrat e vogla të fortifikuara ose në qytete. Kohën më të madhe ata e kalonin në luftëra dhe jo rrallë me dëfrime. Theopompi na thotë se sunduesit e prospelatëve ardianë “çdo ditë deheshin, bënin mbledhje dhe shtroheshin në gosti, të dhënë pas të ngrënit e të pirit”. Pjesën tjetër të popullsisë e përbënte masa e fshatarëve të lirë që luante, me sa duket, ende një rol kryesor në prodhimin shoqëror.

Përveç përfitimit nga puna e popullsisë vendase, shtresa e pasur siguronte të mira materiale nëpërmjet grabitjes kolektive të popujve fqinjë me anë të luftërave. Tributet e përvitshme që detyroheshin të paguanin popujt e nënshtruar tregojnë se këto grabitje kryheshin në mënyrë sistematike.
Kështu në shek. IV p.e.sonë, shoqëria ilire paraqitet si një shoqëri e ndarë në klasa e shtresa shoqërore. Kjo shoqëri njihte atëherë format e hershme të varësisë skllavopronare, prandaj edhe ishte një shoqëri skllavopronare.

Lindja e qyteteve ndihmoi për thellimin e diferencimit shoqëror, sepse duke u bërë qendra të rëndësishme të zejtarisë dhe të tregtisë ato i dhanë hov rritjes së prodhimit, shkëmbimit me para dhe shfrytëzimit të punës së huaj.
Pa mbivlerësuar peshën dhe rolin e qytetit ilir në këtë periudhë të hershme mund të thuhet se ai vepron jo vetëm si bartës i skllavopronarisë, por edhe si përçues i saj në botën fshatare që e rrethon. E lidhur me qytetin me anë të marrëdhënieve ekonomike dhe e varur prej tij përmes këtyre marrëdhënieve, bota fshatare ilire, sidomos ajo që ndodhej rreth qyteteve nuk është më bota e organizimit fisnor. Ajo njeh tani marrëdhënie vartësie në formën e skllavërisë së tipit helot.

Kështu, në shek. IV qyteti ilir na paraqitet me një rol e peshë të ndjeshme në jetën ekonomike e shoqërore të Ilirisë. Si i tillë ai shërbeu si bazë e organizimit politik shtetëror.

You must be logged in to post a comment Login