Cilat janë dokumentat që ju duhen për të rinovuar kartën dhe pasaportën


Radhë të gjata dhe fluks qytetarësh është vërejtur ditët e para të janarit në zyrat e gjendjeve civile, për shkak të nevojës së rinovimit të kartave të identitetit dhe pasaportave.

Duke qenë se shpërndarja e kartave të identitetit nisi për herë të parë në vitin 2009, pikërisht afati 10-vjeçar i përdorimi të tyre, pritej të kërkonte rinovim në fillim të vitit 2019.

Nga ana tjetër, sikurse mësohet karta e identitetit në 3 muajt e fundit përpara afatit të skadimit nuk njihet në shumë institucione dhe banka, çka do të thotë se qytetarëve u lind domosdoshmëri rinovimi i saj.

Ndonëse për këtë proces duhej të ishin marrë masat e nevojshme, pasi pritej që do të kryhej kjo procedurë, ka ende qytetarë që zënë radhën në orën 4 të mëngjesit për të kryer në kohë aplikimin.

Por cilat janë dokumentat që duhen për të rinovuar apo nxjerr kartën e identiteti dhe pasaportën?

Sipas kreut të gjendjes civile, për kartën e identitetit nuk nevojitet asnjë dokument me përjashtim të kuponit, i cili blihet pranë sporteleve të Postës Shqiptare dhe vetë paraqitja fizike e personit në momentin e aplikimit.

Për pajisjen me pasaportë, dokumentet janë thjesht formulari i Policisë, i cili bën identifikimin e shtetasit, kopje e kuponit për t’u pajisur me pasaportë dhe paraqitja në sportelet e kompanisë “Aleat” për të bërë aplikimin dhe më pas për t’u pajisur me pasaportë dhe me kartë. / M.B

You must be logged in to post a comment Login