1945 / Pushkatimi Ndue Palit te Zalli i Kirit


Nga Fritz RADOVANI
ZALLI I KIRIT në Shkoder, jo pak djelm si Ndue Pali ka kalbë në lule të Rinisë. Edhe krimineli Aranit Çela, mik i tiranit Enver Hoxha, jo pak plumba mbas koke ka shprazë aty n’ atë Zall të bardhë si biluri pranë atij Muri Gjakut, rrethues i Rrëmajit .Kaçubat e ferrave me kandilat e ndezun brij Pendës, nuk harrohen asnjëherë prej nesh!Ashtusi shprazjet e pafund të automatikëve vrastarë që nuk pushuen asnjëherë…
NDUE MIRASH PALI…
“ V.F.L.P.
Procesverbal
I mbajtun mbi vullnetin e mbramë të të dënuarve me vdekje,Ndue Mirash Pali dhe Caf Meti, nga Shkodra.
Sot më 15 gusht 1945, ditën e mërkure, ora 5.00 para dreke, unë prokuror i Gjykatës Ushtarake, kapiten i II Aranit Çela, shkova në vendin ku do të ekzekutoheshin kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit, Ndue Pali dhe Caf Meti nga Shkodra, për të marrë fjalën e fundit të tyre, në të cilën thanë këto:
“Ndue Pali: Nuk më vjen keq që unë sot pushkatohem prej vllazënve të mij.
Jam i lumtun që unë po vdes në tokën shqiptare pas pesë vjet vuejtjesh, që pata nga fashistët dhe nazistët.Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin!Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste: Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne demokratike!

Rrnoftë Shqipnia e shqiptarëve!
Të fala familjes.
Prokuror (Aranit Çela) d.v.”
14 KORRIK 1945 Asht dita e zezë që u dha “Vendimi me vdekje, me pushkatim”.
Arkivi ruen edhe një letër që Ndue Pali i dërgon Riza Danit, me anë të së cilës Ndou i kërkon Rizasë, mundësinë e ndërmjetsimit për me u dorzue.
Mbrojtja e Avokat Paulin Palit ka titullin “Liri, Nderë e Burrni”.
15 GUSHT 1945: Aty rreth orës 3.30 e mëngjezit, kur rojet e Burgut të vjetër të Gestapos (pranë shtëpisë së Zef Shirokës), hapnin dryjt e dyerve me zhurmë e virrma për me hy xhelatët e sigurimit të shtetit per me marrë të dënuemit me vdekje me i çue me i pushkatue, ata u gjetën para një të papritune që as nëpër mend nuk i shkonte! Ndou dhe Cafi kishin mpreh bishtat e lugëve që hanin dhe i kishin kthye në thika. Xhelatët vrasës e katila të sigurimit të Degës së Mbrendshme të Shkodres, gjetën aty atë që lypnin me sjelljen e tyne barbare prej katilash të panjohun nga historia e Popullit të pafajshem.
Heroizmi i Ndue Palit e Caf Metit mbeti i pashlyeshëm perjetsisht në kujtesën e Popullit të Shkodrës! Akti heroik i vdekjës së Tyne u kthye në një legjendë. Ata trandën hekrat dhe murët e burgjeve barbare në gjithë Shqipninë e robnueme nga sllavokomunistët.

2 NANDOR 1945 Si gjithmonë, Shkodra kujton të vdekunit. Ishim ndër vorret e Rrëmajit që atë ditë marrin një pamja madhështore nga vizitorët. Papritmas u hap fjala, se mbas murit të vorreve, në Zallin e Kirit, pranë Çinarëve, janë rregullue disa vorre të njerëzve të pushkatuem. Si fëmijë kaluem mbas Pendës së Kirit kur, shka me pa me sy?! Një korte i vërtetë njerzish. Drejtë me Çinarin e dytë ishin pesë vorre të bame me gurtë e Zallit të Kirit, të mbuluem me guraleca të vegjël, të bardhë si biluri. Tre prej tyne me kokë nga Penda e Kirit ishin me Kryqa, ndërsa dy që hynin ndërmjet me fëtyra përballë atyne të treve, kishin shenjën e Myslimanëve. Ndër të gjithë shenjat varëshin fotografi të mëdha (rreth 35×50 cm.). Ishin Portretet Atyne djelmëve të pushkatuem në lule të rinisë. Tek koka e sejcilit vorr ishte e ulun kacuk Nana ose një i afërm i të vramit. Mbi gurët anësor të vorrit ishin të rreshtueme cigare, të cilat, dy a tre nga të afërmit ose miqtë që rrinin në kambë, ua shpërndanin burrave që vinin aty dhe i banin ngushllimet.Kujtoj, se mbi vorrin e Ndue Palit e Kol Sokolit kishte edhe fruta tek fundi i vorrit Tyne. Ishte zakon i malëve. Në mes të Ndout e Kolës, me fëtyrë përballë, ishte Caf Meti. Emnat tjerë nuk i kujtoj. Nën fotografia kishte lule të bardha dhe të freskëta që na kujtonim se lagëshin nga lotët e atyne Nanava me futa të zeza e degërmia të bardha, Ato vetem u merrnin erë atyne luleve, por jo, jo tue kja loçkat e zemrës së Tyne, që ua kanë tha Shpirtin për gjithë jetën. Asnjenës nuk i pashë pikë loti!..

Aty kuptova se Herojtë Nanat Shqiptare nuk i vajtojnë!..
Për pak minuta erdhën disa makina me ushtarë të mbrojtjës, filluen me vrritë si bishat e tërbueme. Kur filluen krizmat e automatikëve na ikëm me vrap prej frikës.Mbas asaj ngjarje nuk bahej fjalë ma për vorre të pushkatumëve. Aty ai vend u mbush me pleh e mbeturina, me kafshë të ngordhuna, me pisllëkun e pusave të zezë të qytetit, që karrocat hillnin sipër me zhdukë çdo gjurmë. Aty-këtu filloi ndërtimi i ndonjë shtëpisë ku Sigurimi, solli të besuemit e vet me qëndrue gjithënjë në roje t’ atij vendi.Megjithatë, kishte ndër kaçuba e ferra ndonjë qiri të ndezun e të futun mbrenda në një kuti teneqeje që mos të fikej. Ai qiri derdhte lotët e tij në atë vend të bekuem…Ishin Lotët e Nanave Tona që nuk u thane kurrë…Asnjëherë! U vorrosen me lot perfaqe!
Edhe “Rilindja” atë detyrë ka… Me Lot’ e Vaje Nanash me mbytë Shqipninë…
E Ajo pra, asht bash Shqipnia e Gjergj KASTRIOTIT – SKENDERBEUT !