Kukësi fiton ndaj Laçit, Luftëtari fundos Kastriotin dhe i largohet fundit


Braziliani William Cordeiro ka nderuar skuadrën e Kukësit në transfertën e vështirë ndaj Laçit në “Elbasan Arena”. 25-vjeçar shënoi golin e vetëm të takimit pasi një mori një asist perfekt nga Shafik në minutën e 60-të dhe me cilësitë e një numri 9 fals realizoi golin që i vlejti 3 pikë skuadrës verilindore..Ky është një sukses i merituar i skuadrës së drejtuar nga Armando Cungu, pasi e dominoi përgjithësisht në lojë kundërshtarin, që me këtë disfatë merr një tjetër goditje të rëndë fill pas humbjes me Teutën.Kurbinasit, që një javë më parë mbanin rekordin e skuadrës së pamposhtur, tashmë janë kthyer me këmbë në tokë, por gjithsesi qëndrojnë në vend të katërt me 16 pikë, 1 më shumë se Teuta dhe Flamutari.

Për herë të parë në këtë sezon Luftëtari del nga zona e ftohtë e renditjes. Skuadra gjirokastrite mori një fitore me shumë peshë 0-2 në transertë me Kastriotin, një kundërshtar direkt për mbijetesën. Ekipi i drejtuar nga Gentian Mezani befasoi krutanët në fillim të pjesës së dytë me golin e Vasil Shkurtajt, pas krosimit të Rolovicit nga e djathta e sulmit.Në fakt, Kastrioti zhvilloi një pjesë të mirë në “Redi Maloku”, ku iu afrua golit me Mziun, por reagimi i Ruçit ishte për t’u vlerësuar. Skuadra e Stavri Nicës, që në këtë debutim të tij me Kastriotin nuk ishte në stol për arsye pezullimi, tentoi të kthente ndeshjen në pjesën e dytë, por nuk qe e aftë për të shkuar deri te goli, madje pësoi edhe të dytin në minutën e 83-të. Më këtë humbje duket se Kastrioti i minimizon shanset për mbijetesë, edhe pse deri në fund të sezonit ka shumë ndeshje për t’u zhvilluar.Luftëtari me këtë fitore parakalon Kamzën në renditje dhe barazohet me Tiranën në kuotën e 9-pikëve.

You must be logged in to post a comment Login